e shtunë, 3 janar 2009

CILAT ISHIN ARSYET QË U RRËZUA NË REFERENDUM PROJEKT KUSHTETUTA EUROPIANE?A ËSHTË KUSHTETUTA EUROPIANE NJË OBJEKTIV I PAARITSHËM PËR VENDET E BE-SË?


Parafjalë

Që nga çasti i ideimit dhe i paraqitjes ProjektKushtetuta e Bashkimit Europian(PKBE)ishte jo demokratike e punuar kryesisht nga dora e një njeriu të vetëm(Valery Giscard d’Estaing) e bazuar forcërisht mbi një të ashtëquajtur “Konventë” e pavotuar asnjëherë dhe e palexuar dhe e padiskutuar nga asnjë europarlamentar e aq më pak nga ndonjë qytetar i BE-së.Kjo kushtetutë nuk i jep të drejta të reja asnjë qytetari(dhe në formë aspak të mbuluar i harron dhe disa prej tyre) dhe i jep një shkelm të fortë fuqisë ekonomike e të vendimmarrjes së shteteve të veçanta.Kjo do të ishte e kuptueshme nëse do të krijoheshin vende pune,infrastrukturë ,shërbime apo stabilitet por asgjë e tillë nuk vjen si rezultat i përpjekjeve të PKBE.Ata,që janë kundër PKBE quhen anti-europianë dhe ata që e pranojnë të shenjtë si Biblën gjithçka që del nga Brukseli quhen pro-europianë.Ky është një shtrembërim grotesk.Shumica e “anti-europianëve” kanë një prespektivë më globale,duke e shtrirë solidaritetin dhe idealet e tyre përtej vetëm një kontinenti.Një Europë e centralizuar e militariste,e udhëhequr nga një krikë elitare e përqendruar vetëm në aspektin ekonomik e jo dhe në atë human do të rrisë thikën e shkëmbimeve ekonomike me vendet në zhvillim(si Shqipëria) do të rrisë dhe mundësitë për luftë e do të heqë çdo lloj stabilizatori demokratik mbi të ardhmen tonë.Në përfundim çdo qeveri që kufizon forcën vendimmarrëse të saj aq sa parashikon PKBE nuk është më një qeveri funksionale.

Çfarëdo skepticizmi mund të ketë çdokush,PKBE e tejkalon atë.Një e ardhme ndryshe dhe më demokratike është diçka që ja vlen të luftosh, e tillë që vendet të bashkëpunojnë përmes Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

PKBE në një shikim të parë:

Fuqia për të privatizuar - Neni III/147 i jep BE fuqinë të detyrojë privatizimin në çdo fushë të ekonomisë: “Një sistem ligjesh do të krijohet për të caktuar masat që duhet të merren për të arritur një liberalizim të një shërbimi a veprimtarie specifike.”

Një kërcënim për shërbimet publike – Neni I/15 i jep BE fuqinë për te “koordinuar” politikat ekonomike,sociale e të punësimit.Neni III/210 ka një listë të pafundme fushash ku BE ka të drejtën të “mbështesë dhe plotësojë” aktivitet e Shteteve anëtare.

Të pavotuarit në pushtet – Neni I/26 konfirmon të drejtën e Komisioneve(të pavotuara në një votim të rregullt e demokratik) për të bërë ligje dhe Neni III/188 urdhëron Shtetet anëtare “të mos përpiqen të influencojnë... Bankën Qendrore Europiane”,dhe ajo e pavotuar nga qytetarët ,që vendos politikat ekonomike për eurozonën.

Ligje antisindakaliste – Neni II/88 thotë që punëtorët kanë të drejtë e ankimit kolektiv dhe të hyjnë në grevë vetëm “në përputhje me ligjet normat kombëtare

Kërcënimi i të drejtave civile – Neni II/112 lejon kufizime të të drejtave e lireve themelore “nëse ato janë të nevojshme dhe realisht janë pro objektivave apo interesave të njohura nga BE”.Neni II/114 ndalon çdo fushtë politike për të rishikuar aspekte të Kartës së të Drejtave dhe Lirive Themelore duke rënë ndesh me lirinë e çdo organizimi politik në përputhje me ligjet kombëtare.

Militarizimi – Neni I/15 thotë: “Shtetet anëtare duhet që aktivisht e pa rezerva mbështesin politikat e jashtme dhe ato të mbrojtjes në shpirtin e ndershmërisë dhe solidaritetit të përbashkët.”

“Big brother” apo limitimi i privacy-së së qytetarëve – Neni III/276 i jep BE të drejtën të shtrijë “strukturën,operimin apo fushën e ndërhyrjes apo masave” të forcave të saj policore,agjentët e së cilës,si çdo operativ i BE kanë imunitet ndaj ndjekjes penale gjatë dhe pas lënies së detyrës.

Shënim:Numërimi i neneve të PKBE-së bazohet tek versioni i publikuar më 29 Tetor 2004(i vetmi version ekzistues në Web)

Zhvillimi

Nëse e sheh veten si eurofil apo euroskeptik PKBE është një ndryshim i ndjeshëm i mënyrës se si udhëhiqemi dhe sesi ligjet bëhen.Siç deklaroi dhe ish-kryeministri i Belgjikës Guy Verhofsdadt”PKBE është fillimi i udhës për një Europë federale”,gjë për të cilën mendimi ynë si shqiptarë nuk na u mor po thjesht do të na imponohet(sa për hir të së vërtetës nuk u mor as mendimi i qytetarëve që bëjnë pjesë sot në BE).Pra na u imponua një traktat që hidhte poshtë ligjërisht çdo lloj traktati të mëparshëm dhe krijoi një entitet që ka gjasa të funksionojë si shtet i centralizuar por ka një kundërshtim në terma sepse bazohet në një parim federativ.Ky entitet do të lerë mënjanë çdo traktat mes shtetesh(duke i reduktuar shtetet me një status rajoni a province)gjë që është përtej dhe dëshirës së eurofilëve më të zjarrtë(ashtu siç tregoi votimi në Francë e Hollandë shtete themeluese të BE).Nën PKBE,fuqia vendimmarrëse zhvendoset nga qeveritë e zgjedhura kombëtare në Komisione të panjohura nga publiku e për më shumë të pazgjedhura me një votim të rregullt e demokratik.Gjithashtu u hoq fuqia e vetos në mbi 50 fusha të ndryshme duke i reduktuar shtetet anëtare në personazhe të zbehtë të punëve të Komisioneve.Kjo do të rrisë numrin e ligjeve të pavotuara nga shtetasit e një vendi.Deklarata e parlamentarit anglez Sir Stephen Wall në Finnancial Times e 20 Janarit 2005(“PKBE është bërë për të mos lejuar një shtet,i cili nuk ka fituar me vota mbi diçka,të mos aplikojë atë që,për të,ka forcën e një ligji”)na thotë që ne një të nesërme në BE të vëndit tonë,ligjet dhe detyrimet të na i bëjnë të tjerët e të mos kemi asnjë mundësi për të thonë fjalën tonë.Ne mund të ushtrojmë presion në parlamentin kombëtar por jo në atë të pazgjedhurin Komision mbi të cilin ka një pikëpyetje të madhe nëse do marrë parasysh apo nevojat e vendit tonë.

Të drejtat sindikaliste nuk garantohen nga PKBE.Gjithashtu liria në livizjen e kapitaleve e aseteve vihet në dyshim me krijimin”...e një tregu të brendshëm europian në të cilin konkurenca bazohet në krijimin e poleve të caktuara në bazë të resurseve të një rajoni ”.Kjo do të thotë që nëse Shqipëria caktohet të prodhojë ullinj do të kemi penalizime nëse vendos të investoj në prodhimin e makinave.Një idiotësi e tillë e çon mendimin ekonomik në një epokë të re të gurit.Ne duhet të eksportojmë vetëm domate se për makineritë mendon tjetër kush.Gjithashtu PKBE nuk bën dallime mes sektorit privat e atij publik,me shpresën që do të privatizohet gjithçka.Por ka disa shërbime esenciale jofitmprurëse të cilët nëse nuk mbulohen nga shteti nuk kanë të ardhme në një aktivitet frenetik tregu.PKBE imponon privatizimin e sektorëve të tillë si transportet,edukimi apo sistemi shëndetësor.Siç deklaroi dhe Organizata Ndërkombëtare e Mjekëve “...kjo gjë minon të drejtën e një shteti për të caktuar se ç’është më e mirë për shëndetin e shtetasve të vet”.Gjithashtu do të privatizohen mbi 160 sektorë si shkolla,spitale,banka,sistemi i shpërndarjes së ujit,pastrimi nga plehrat nëpër qytete e kjo do të thotë se s’do të ketë vend për biznese të vogla qytetare për privatizim por vetëm për ato biznese ndërkombëtare që do paguajnë më shumë dhe rrjedhimisht do rrisim tarifat për këto shërbime.PKBE i jep fuqi Komisioneve të negociojnë për këto shërbime e më vonë t’ia imponojnë shtetit vendimet e tyre.Konseguencat e këtyre veprimeve u dukën qarte kur Komisioni Europian mbi Tregtinë detyroi Tailandën,të sapogoditur nga cunami me tarifa të larta ndaj industrisë së saj të peshkut deri sa bleu 6 Airbus A380 me çmimin 1.2 miliard euro.Shteteve i ndalohet kategorikisht të bëjnë presion apo të shfaqin mendime të kundërta me Bankën Qendrore Europiane(BQE).Pra edhe nëse politikat ekonomike të BQE mund ta çojnë një shtet drejt falimentimit asnjë nuk ka të drejtën e ankimit as qeveritarët e as te zgjedhurit në parlamentin europian.Me këtë problem po ballafaqohet sot Gjermania që ka 5 milionë të papunë për shkak të normave të pandryshueshme të interesit.

Këto faktorë do të sjellin një lloj alienizimi politik të votuesve drejt BE dhe politikave të saja.Ky zhgënjim mund të sjellë një rritje të forcave politike ekstremiste të majta e të djathta dhe zmadhimin e helmit të shovinizmit e racizmit.

PKBE do të militarizojë në njëfarë mënyre BE-në.Ajo na jep krijimin e një force të armatosur brenda BE aftë për të vepruar globalisht dhe pret që kjo forcë të mbështetet pa rezerva nga shtetet anëtare.PKBE e lejon që dënimi me vdekje të rikthehet në kohë lufte.Dhe PKBE jep shumë mundësi për një konflikt të armatosur të mundshëm.Siç thamë krijon një ushtri europiane,e kompletuar kjo me një industri ushtarake, e shpresojmë që kjo të mos jetë një ushtri që do të bëje një lufte për burime minerale apo tregje për shtete si Britania e Madhe ,Franca apo Gjermania.Deklarata si të Gjeneralit Rainer Schuwirth,Komandant i Stafit Ushtarak të BE(“qeveritë kombëtare duhet të heqin dorë nga pushteti mbi ushtrinë e tyre”)apo ajo e gurut të politikës së jashtme në Britaninë e Madhe Robert Cooper mbi standarte të dyfishta(“Kur do të kemi të bëjmë me shtete që jetojnë akoma në shekullin e 19-të apo në vitet 50-të,duhet të përdorim metoda më të egra,të kohëve më të lashta,sulme paraprake,mashtrime,gjithçka është e nevojshme për ti bërë të arsyetojnë këto shtete që jetojnë akoma në shekullin: secili për vete”.)Mua,që jetoj në një vend që nuk mund ta fus dot në shekullin e 21-të,këto deklarata sikur ma shtinë ca frikën.Po ajo që më frikëson më shumë është delegimi i pushtetit final,madhor të Forcave të Armatosura dhe shefit të tyre dikujt në shërbim të “Europës”.Ndoshta ai turmën e emigrantëve shqiptarë të ’90-tës apo atë të kosovarëve në ’97-tën e sheh si kërcënim(si qeveria italiane në 97-tën)dhe i detyron këto forca të ndalojnë me çdo kusht turmën.Dhe PKBE e detyron çdo shtet”...që në mënyrë aktive,të parezervë e të ndershme” të mbështesin politikën ushtarake të BE-së edhe kur nuk ka patur një kërkesë popullore që kjo forcë të ekzistojë.

PKBE i jep fund dhe neutralitetit ushtarak të shteteve si Irlanda,Danimarka,Suedia e Austria pa i pyetur qytetarët e këtyre shteteve e pa marrë parasysh arsyet historike të këtij qëndrimi.PKBE nuk kërkon që veprimet ushtarake të BE të jenë në përputhje me Kartën e OKB,e cila është baza e të drejtës ndërkombëtare,pra mund ta injorojë atë sa herë e sheh të arsyeshme.Për ndonjë shqiptar kjo,duke ju kujtuar lufta e drejtë ne Kosovë,mund të jetë një veprim i mirë por duhet të kujtohet që nëse OKB ishte e pavendosur mes ndërhyrjes apo jo BE ishte totalisht kundër ndërhyrjes ushtarake e limituar apo jo.Ishte vetëm NATO ajo që vendosi të ndërhyje dhe kritikat kryesore e më therëse i erdhën nga shtetet e BE dhe Rusia.

Të drejtat civile gjithashtu limitohen.PKBE propozon harmonizim të proçedurave ligjore duke mos lejuar gjyqin me juri (pra lë jashtë gjithë sistemin anglosakson dhe disa vende që proçesin gjyqësor e zhvillojnë në këtë mënyrë).Gjithashtu krijohen prokurorë të BE dhe zgjerohet aktiviteti dhe struktura e Europolit (Neni III/276).Organizata të ndryshme për ruajtjen e të drejtave të njeriut si Statewatch kanë shprehur shqetësime serioze mbi politikat e sistemit policor,strehimit dhe emigracionit.Një tjetër e drejtë themelore,ajo e tubimit vihet në dyshim.Neni II/72 e garanton këtë të drejtë.Por në kreun “Shënime”të PKBE kjo dispozitë nuk zbatohet për forcat e armatosura e policinë(në njëfarë pike e kuptueshme) e as për administratën shtetërore(!!!) e cila në përmbajtje të saj ka një numër mjaft të lartë nëpunësish civil.Nën PKBE e drejta e tubimit duhet parë në varësi të,sigurisë kombëtare,rendit publik,shëndetit publik,të të drejtave te te tjerëve dhe moralit(!!!).Varësia nga këta faktorë të shumtë e bëjnë këtë të drejtë gati inekzistente dhe çdo forcë e shtetit mund të mobilizohet kundër tubuesve.Duhet të kujtojmë që Neni II/112 thotë që çdo e drejtë në Kartën e të Drejtave e Lirive Themelore të Njeriut mund të anullohet ”në interes të përgjithshëm”të BE-së.Pra kjo Kartë,një nga arritjet më të mëdha të njerëzimit, vihet në dyshim.

PKBE ka vënë si parim të paparë kushtetues mbi 500 milion e më shumë qytetarë stabilitetin e valutës dhe politikën ekonomike monetariste.”Monedha e Bashkimit është Euro. ”E parë kështu kjo maksimë duket e padëmshme po në konteksin e PKBE do të thotë një kontroll i rreptë mbi normat e interesit dhe mbi sasinë e parave në qarkullim.Kjo ka për qëllim stabilitetin e çmimeve e jo atë të rritjes ekonomike,punësimit dhe kohezionit shoqëror.Kjo ka sjellë një vrimë të zezë në buxhetet e 13 shteteve të eurozonës sepse si pasojë e “stabilitetit të valutës” euro ka fituar në vlerë 60% ndaj dollarit.Kjo ka sjellë që eksportet të jenë shumë më të shtrenta se importet e si rezultat të rritet papunësia,reçesion apo rritje shumë të ulët ekonomike.Ka shumë mënyra për të minimizuar apo zhdukur këto pasoja por janë të pamundura në kuadrin e politikës së vetëm një valute.

PKBE na sjell njëfarë rajonalizimi të Europës por jo me pasojë dhe rajonalizimin e pushtetit.Për më tej pushteti përqendrohet tek një sistem jodemokratik brenda BE-së.Komiteti i BE-së për Rajonet(KR) deklaroi që puna e Asambleve Rajonale ishte ajo e implementimit të PKBE e ligjeve të BE.I njejti dokument(“Opinione” të datës 15 Shtator 1999)thotë që”Aplikimi i ligjeve të BE mundet,në raste të caktuara të dalë mbi fuqinë ekzekutive të autoriteteve vendase”.Pra këto politika do të bëhen pavarësisht organeve rregullisht të zgjedhura e kopetencave të tyre.Një rast kuptimplotë ishte ai i Asamblesë së Uellsit i cili votoi për mosshitjen e drithërave gjenetikisht të modifikuar dhe Komisioni i BE e hodhi poshtë këtë vendim duke deklaruar që ky parlament nuk mund ta merrte këtë vendim.Ky që po ndodh është një revulucion i heshtur që ja heq të drejtën e vendimmarrjes organeve lokale,e në përfundim qeverisë për tja trasferuar atë BE.Për disa shqiptarë kjo mund të duket ide e mirë duke patur parasysh klasën politike në vend,por unë dua që të them fjalën time për atë që ha,prodhoj e shpërndahet.

A ËSHTË KUSHTETUTA EUROPIANE NJË OBJEKTIV I PAARITSHËM PËR VENDET E BE-SË?

Pyetjen se nëse PKBE është një objektiv i paarritshëm për vendet e BE duhet të zëvëndësohet më atë të strategjisë dhe së ardhmes së BE-së.Përmbajtja e PKBE tregon që ajo nuk është “një tjetër traktat”apo një proçes pastrimi i marrëveshjeve të mëparshme siç u përpoqën të na e servirnin.Mendoj që,në legjislacionin ndërkombëtar,një traktat është një marrëveshje mes shtetesh të pavarura e sovrane ndërsa kushtetuta është ligji thelbësor i një shteti që na tregon istitucionet e tij,mënyrën dhe frymën e bërjes së ligjeve dhe politikat e marëdhëniet me shtetet e tjera.Me hyrjen në fuqi të PKBE,një kushtetutë të cilës duhet ti bindemi,krijohet një entitet i ri politik që funksionon si shtet dhe ka politika të caktuara imperialiste dhe neo-kolonialiste.Nëse PKBE bëhet pjesë e kushtetutës sonë,proçesi nuk do të mund të jetë i kthyeshëm dhe efektivisht do të na kërkojë të braktisim të drejtën tonë për të përcaktuar ligjet që i bindemi e formën e mënyrën e qeveresjes,gjë që në thelb është e drejta jonë demokratike kryesore.Me hedhjen poshtë të PKBE në disa vende dhe mosratifikimin në të tjera,BE do të vazhdojë udhën e saj e bazuar në Traktatin e Nicës për një BE me 27 shtete.Duhet të rikujtojmë frymën e Deklaratës së Laekenit në 2001 e cila filloi proçesin e shkruarjes së PKBE që shqetësohej për përqendrimin e pushtetit nga shtetet anëtare drejt BE-së dhe nevojën e një debati real në nivel kombëtar mbi se çfarë lloj Europe njerëzit duan të ndërtojnë.Kjo sigurisht nuk do të jetë Europa e parë si një shtet unik super i fuqishëm,e udhëhequr nga një elitë burokratike.Duhet të jetë një Europë shtetesh të pavarura që bashkëpunojnë me njëri tjetrin dhe ku fuqitë nga Brukseli kthehen prapa tek shtetet anëtare.

Një konventë e re duhet të bëhet ku paqja sociale dhe përgjegjshmëria civile të jenë synimet kryesore.BE dhur të sjellë më shumë demokraci në Europë e jo më pak.Një Europë e tillë mund të jetë vetëm ajo ku parlamentet kombëtare dhe votuesit kanë të rivendosura të drejtat e tyre dhe modeli i përfaqësimit me anë të votës eshtë parim i pashkelshëm.

Të kundërshtosh PKBE nuk është ti thuash jo Europës dhe integrimit në të.Janë dy proçese të ndara e të ndryshme ku njëri tregon vullnetin e imponimit të një ideologjie të papërkrahur e të papërputhshme me idealet e një demokracie liberale e tjetra vullnetin politik të lirë të një vendi për bashkëpunim.

Pra në konkluzion një Kushtetutë Europiane është një proçes i mundshëm politik por e bazuar jo në frymën e PKBE e cila nën petkun e zhvillimit e stabilitetit na krijon një supershtet me idealet nacionaliste të shekullit 19-të,një shtet shtrëngues e jo liberal,ku demokracia imponohet nga lart e pa konsensus të gjërë të 500 milion europianëve.E vërtetë që BE si vazhduese e CEE dhe Paktit të Qymyrit e Çelikut bazohet vetëm në interesa të pastra ekonomike,por në një pikë të caktuar të historisë së saj duhet të shndërrohet në një organizatë për promovimin e interesave demokratike e aspiratave për bashkëpunim në të gjitha fushat dhe sjelljen e një fryme më liberaliste në shoqëri.

Nuk ka komente:

Posto një koment