e diel, 4 janar 2009

Ç'duan e ç'kërkojnë minatorët?

Po përpiqem tju jap një informacion të vogël për çështjen e minatorëve.Do të flas vetëm për ato që i di si informacione të sigurta duke lënë mënjanë hamendësitë e hipotezat.

Minierat në Shqipëri janë të gjitha private(përveç disave por në të cilat nuk punohet). Firmat kanë privatizuar galeritë ekzistuese dhe rrallëherë hapin të reja.Privatizimin duhet ta kuptojmë gjithmonë vetëm në konçesion e jo pronësi të galerive e mineralit.Shteti merr vetëm një shpërblim prej 10% mbi fitimet e deklaruara të këtyre firmave.Por siç ndodh rëndom fitimet apo një pjesë e madhe e tyre nuk deklarohen.Shpeshherë janë vetë minatorët që privatisht hynë në galeri të braktisura e gati në shembje duke rrezikuar kokën për një 5 leksh më shumë.Kam njohur disa persona nga zona e Mirditës që punonin 16 orë në gropa të hapura në mënyrë rrethanore,me gra e fëmijë pa asnjë veshje speciale apo kaskë të paktën për një minimum mbrojtje.Por si gjithmonë faji nuk mund të qëndrojë tek ata që përpiqen të sigurojnë jetesën por tek ata që përpiqen të fitojnë mbi këtë tragjedi.Rreth këtyre zonave minerale gëlojnë sekserët e mineralit që blejnë me kile ose ton,mineral të pastër apo jo.Por duke marrë shkas dhe nga protestat e minatorëve dua të kuptoj se ç'duan e ç'kërkojnë.E këtu ballafaqohem me një problem të papritur.Kërkesat publike të minatorëve janë ose thjesht politike(dorëheqje e këtij apo atij personi)ose ligjërisht të pamundura(presion ndaj kompanive private apo prishje të kontratave që janë firmosur).Duke lëçitur dhjetra faqe gazetash apo deklaratash kuptova që problemet kryesore të minatorëve ishin a.vështirësia në punë dhe mospagesa në kohë e rrogave(shumë të ulëta)b.mosekzistenca e një kontrate tip e që të mbrojë kategorinë e punonjësve në miniera.Për pikën e parë vështirësia në punë duhet të kuptohet si mospasja e mjeteve minimale të sigurimit teknik,skuadra shpëtimi e galeri të sigurta.Këtu me thënë të drejtën faji duhet të ndahet mes qeverisë,si i vetmi mjet kontrolli e presioni me organet si Inspektorati i Punës e Higjenës dhe organeve lokale.Për çështjen e rrogave fatkeqësisht i vetmi vend për ta zgjidhur problemin është Gjykata me kohët e mënyrat e saj.Për rrogat e ulëta duhet të ndërhyjnë sindikatat e sektorit e ato të përgjithshme.Por Sindikatat në Shqipëri janë momentalisht inekzistente dhe në fazë riorganizimi e asnjëherë s'kan luajtur një rol aktiv në problemet e punëtorëve.Pika e dytë e kërkesavë të minatorëve është çështje teknike.Kontratat janë ato që janë e momentalisht nuk e mbrojnë kategorinë.Janë shumë të shpeshta rastet e mospagesave të aksidenteve në punë e ditëve të sëmundjes.Kundrejt këtyre akuzave një sekretar i një firme i kontaktuar prej meje(e që kërkon të mbetet anonim)deklaroi që në kontratë (individuale)këto situata nuk parashikohen.Kur i thashë që i parashikonte dhe i detyronte për zbatim Kodi i Punës i RSH ngriti supet.Gjithashtu pashë që asnjë minator nuk i ishte drejtuar Gjykatës me ndonjë padi penale e civile për këtë.Mendoj që do ti kushtonte më pak e do ti bënte më shumë punë nëse do të paguanin një avokat e ti drejtoheshin gjyqit për shkelje të Kodit të Punës.

Në konkluzion doja të thoja që e drejta për protestë është një e drejtë themelore e njeriut prandaj unë jam partizan i çdo proteste civile.Por në këtë rast mbi të drejtat e njeriut(pak abstrakte para pjatës e barkut bosh)duhet të dalë një zgjidhje e problemit.E nuk duhet të jetë ajo e tam-tamit mediakit lehtësisht e manipulueshme për qëllime politike të këtij apo atij personi e mbi të gjitha jo konkluzive për problemin.Mendoj që rruga më e mirë është ajo e Gjykatës me padi civile e me një prishje të kontratave individuale si të paligjshme.Vetëm në këtë pikë Shteti,i obliguar ligjërisht e moralisht,duhet të ndërhyjë e të parashikojë një kontratë tip për të mbrojtur këtë kategori punëtorësh e paralelisht të intensifikojë kontrollet mbi kushtet e punës së minatorëve.

Për tu thelluar më tej në privatizimin e minierave mund të lexoni;

www.shekulli.com.al/news/249/ARTICLE/30685/2008-08-17.html


Nuk ka komente:

Posto një koment